click to enlarge |
INTERVISTË FAKTI
INTERVISTË ME KRYETARIN E ORGANIZATËS JOQEVERITARE "CIVIL", Z. XHABIR DERALLA
Shkelja e të drejtave të njeriut fillon dhe mbaron në institucionet e shtetit
"Shpërndarja e mjeteve financiare dhe sociale për qytetarët bëhet në mënyrë jo të balancuar, përfaqësimi i bashkësive etnike në administratë është tepër larg nga ajo që duhet, ndërsa drejtësia dallon varësisht nga përkatësia etnike e njerëzve. Procesi i decentralizimit nuk është mbaruar në dëm të bashkësive etnike jo shumicë. Interpretimi i ndryshëm i marrëveshjes së Ohrit varësisht nga ajo se flet politikani maqedonas apo shqiptar, në opozitë ose pushtet, të gjitha këto e përmbushin mozaikun duke shkaktuar probleme plotësuese", thotë kryetari i OJQ-së "Civil", Xhabir Deralla
INTERVISTOI: REXHEP ADEMI
Në intervistën për gazetën FAKTI, kryetari i OJQ-së "Civil", Xhabir Deralla, vlerëson se në Maqedoni shkelen të drejtat e njeriut. Ai thotë se institucionet nuk respektojnë ligjet dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat themelore të njeriut dhe se nga këto shkelje më së shumti goditen bashkësitë më të vogla etnike. Sipas tij, diskriminimi në baza etnik është i pranishëm kudo, në administratë, gjyqësi, punësim si dhe në sfera të tjera.
FAKTI: Zotëri Deralla, a mund të na jepni një vlerësim të përgjithshëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në Republikën e Maqedonisë?
Xhabir DERALLA: Gjendja e të drejtave të njeriut dhe lirive në Republikën e Maqedonisë është shqetësuese dhe dita-ditës po keqësohet. Të drejtat e njeriut shkelen në formë masovike dhe prekin të gjitha segmentet e shoqërisë duke përfshirë një numër të madh të grupeve shoqërore. Varësisht se si i shikojmë punët mund të konstatojmë se ka shkelje serioze të të drejtave të njeriut duke filluar nga të drejtat e punëtorit, ato sociale që datojnë nga pavarësia e shtetit tonë dhe lirisht mund të them se të njëjtat përkeqësohen vazhdimisht.
Liritë dhe të drejtat e njeriut janë të garantuara me kushtetutë, të gjitha ligjet dhe konventat ndërkombëtare në sferën e të drejtave etnike, kulturore dhe religjioze vazhdimisht kërcënohen, ndërsa diskriminimi është i pranishëm në të gjitha poret e shoqërisë. Më shqetësues është shkelja e drejtave të njeriut që bëhet nga ana e institucioneve shtetërore. E njëjta ka të bëjë edhe me diskriminimin edhe në bazë të përkatësisë gjinore dhe orientimin seksual.
Të burgosurit dhe personat në paraburgim kanë trajtim të barabartë me ata në kohës së mesjetës dhe çdo ditë janë të nënshtruar në nënçmim, maltretim dhe nuk janë të rralla rastet e torturës gjatë arrestimeve, procedurave policore hetuese por edhe në burgje.
Shkelja e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe diskriminimi bëhet edhe në linjën e përkatësisë së opcionit politik, gjegjësisht antarsimi në një parti politike.
Më tutje, liria e shprehjes është nën një kërcënim serioz dhe dita-ditës po përkeqësohet. Kjo e drejtë elementare e njeriut në formën më të ashpër reflektohet përmes kontrollit të mediave nga ana forcës financiare dhe qendrave politike, presioni që u bëhet ndaj gazetarëve dhe politika redaktuese përgatitet në kabinetet e më të fuqishmëve e jo nëpër redaksitë e mediave.
E gjithë kjo situatë ka ndikim tepër negativ ndaj së drejtës në shtet, a e gjithë kjo ka impakt edhe në zhvillimin e përgjithshëm dhe procesin integrues të vendit si në nivel nacional ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
FAKTI: Në çfarë formash shkelen të drejtat e njeriut të bashkësive etnike në vendin tonë?
Xhabir DERALLA: Kur ratifikohen konventat ndërkombëtare dhe marrëveshjet nga ana e Parlamentit të një shteti demokratik ato menjëherë bëhen pjesë e legjislaturës nacionale. Maqedonia është nënshkruese e të gjitha konventave më të rëndësishme evropiane dhe ndërkombëtare, marrëveshjeve dhe direktivave prej të cilave për këtë çështje shumë me rëndësi është të përmendet konventa për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Më pas kushtetuta dhe ligjet sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit i garantojnë të drejtat dhe liritë e të gjitha bashkësive etnike të cilët jetojnë në Maqedoni. Mirëpo të gjitha ato mbeten vetëm përcaktime deklarative të cilët janë sjellur nën presion të realitetit, konfliktit ushtarak dhe intervencave diplomatike.
Implementimi i tërësishëm mungon si pasojë e një nacionalizmi i rrënjosur thellë dhe politikave diskriminuese. Segregacioni etnik vazhdon dhe atë në sektorin më të ndjeshëm -arsimin. Shpërndarja e mjeteve financiare dhe sociale për qytetarët bëhet në mënyrë jo të balancuar, përfaqësimi i bashkësive etnike në administrate është tepër larg nga ajo që duhet, ndërsa drejtësia dallon varësisht nga përkatësia etnike e njerëzve. Procesi i decentralizimit nuk është mbaruar në dëm të bashkësive etnike jo shumicë. Interpretimi I ndryshëm i marrëveshjes së Ohrit varësisht nga ajo se flet politikani maqedonas apo shqiptar, në opozitë ose pushtet, të gjitha këto e përmbushin mozaikun duke shkaktuar probleme plotësuese.
Nëse më lejoni, do të doja që të bëj edhe një ilustrim. Përfaqësimi adekuat i bashkësive etnike në administratë është shndërruar në farsë. Është i njohur kualifikimi "punësime sipas marrëveshjes së Ohrit". Punësimi formal i shqiptarëve në administratën shtetërore, ndërsa mosangazhimi i tyre me orar të plotë të punës shkakton së paku dy pasoja negative. E para - shkakton revoltë te popullata pasi dikush është I punësuar në shtet, mer rrogë, a nuk punon, me çka paragjykimet dhe mosdurimi vetëm po rritet E dyta, qytetarët shqiptar edhe më tej nuk kanë mundësinë që t'i shfrytëzojnë shërbimet e administratës, gjegjësisht nuk mundet nëpunësit e tyre që t'i problemet përmes një mirëkuptimi, ndërsa komunikimi edhe me tutje nuk realizohet në gjuhën shqipe. Që do të thotë nga njëra anë partitë në pushtet formalisht e mbarojnë punën e tyre, bile pjesërisht, ndërsa nga ana tjetër jo vetëm që nuk e zgjidhin problemin, por gjenerojnë probleme tjera. Unë do të thosha se kjo nuk është punë e kryer si duhet, posaçërisht këtu kemi të bëjmë me disa ambicie private të dikujt që të mbetet në pushtet dhe me këtë t'i kënaq apetitet e bashkpartiakëve të vetë.
FAKTI: Ju jeni një ndër themeluesit dhe kryetar i organizatës "Civil" - Qendra për liri. Çka bënë "Civil" në interes të të drejtave të njeriut gjatë kësaj periudhe. A keni mbështetje financiare për projektet që i bëni?
Xhabir DERALLA: Po realizojmë projekte për të ngritur vetëdijen publike dhe edukimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Programi ynë vjetor në pjesën më të madhe u është përkushtuar lirive dhe të drejtave të njeriut, ndërsa kanë mbështetje të fuqishme nga programi Civita Mobilitas të cilën e financon Agjencioni Zvicran për Zhvillim dhe Bashkëpunim,megjithatë e implementon Qendra për Zhvillim Institucional (CIRA).Një nga komponentët kryesore të projektit "Zgjidhje" kushtuar kulturës politike dhe dialogut janë pikërisht të drejtat dhe liritë e njeriut. Atë e quajmë (njeri = të drejtat)dhe e financon Ballkan Trust for Democracy.Në sferën e lirisë së shprehjes që është një nga të drejtat elementare e të drejtave dhe lirive të njeriut jemi duke punuar në përforcimin e lirisë në media. Në nga projektet për këtë qëllim është doracaku gazetaresk të cilën e financon Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë. Javën e kaluar u botua edhe numri i dytë i dialog - në letër për demokraci dhe të drejtat e njeriut në gjuhën maqedonase, ndërsa së shpejti do të botohet edhe në gjuhë shqipe dhe atë angleze. Jemi të pranishëm në shumë media përmes ueb faqes, blogjeve dhe rrjetit social. Reagimi është pozitiv, mirëpo sërish nuk përfshihet hapësira e kënaqshme. Shpresojmë se qytetarët do të aktivizohen së shpejti.
FAKTI: Na thoni Ju si i kuptoni të drejtat e njeriut?
Xhabir DERALLA: Që të jesh njeri duhet të kesh të drejta. Çdo kush nga ne është përfaqësues i njerëzimit. Për atë çdokush nga Ne ka të drejtë që ti respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut për vete dhe për të gjithë njerëzit tjerë në botë, ajo nënkupton që edhe ai vetë ti përmbushë obligimin e vetë që ti respektoj liritë dhe të drejtat e njeriut. Shkurtimisht nga vetë fakti që jeni I lindur si njeri në këtë planet, I keni të gjitha të drejtat të cilat ju takojnë të gjithë njerëzve, në formën e barabartë dhe në përgjithësi. Më saktë të drejtat dhe liritë janë të pandashme, nuk mund disa të drejta ti keni e disa jo. Të gjitha të drejtat janë për të gjithë ne.
FAKTI: A nuk është kjo një utopi? A mund që njerëzit të shpresojnë në më shumë të drejta në një botë dhe shoqëri të këtillë siç e kemi sot?
Xhabir DERALLA: Unë nuk flas për utopi por për standarde që vlen për të gjitha shtetet në botë të cilat u morën veshtë me 10 dhjetor të vitit 1948 të cilat edhe e miratuan deklaratën e përgjithshme për të drejtat e njeriut. Ajo u bë shtyllë e rregullimit juridik në botës së sotme. Realiteti është se shtetet vetëm formalisht i miratojnë këto apo një sere dokumentesh tjera ndërkombëtare. Mirëpo ajo edhe pritet. Qytetarët duhet t'i kërkojnë të drejtat e tyre. Askush nuk do të na servoj në pjatë. Unë në asnjë moment nuk kam thënë se lufta për të drejtat e njeriut është e lehtë dhe se ndonjëherë do të ndërpritet. Ai është një proces i vazhdueshëm me përpjekje të mëdha. Në deklaratën ka inspirim të mjaftueshëm për atë çka duhet të bëhet që t'i kërkoni të drejtat, të drejtat dhe liritë e njeriut. Nuk guxoni të bëheni përtac. Në fund të fundit deklarata është shumë e shkurtër afro dy faqe. Obligimi i çdo qenie njerëzore është që t'ju rrëfej atyre që nuk din t'i inkurajoj ata që frikohen, t'i mbroj ata të cilët kërcënohen apo ndaj tyre kryhet ndonjë dhunë dhe terror. Që të jesh njeri nënkuptohet që të përkushtohemi për të luftuar për mirëqenien e çdo njeriu në planetin tokë. E gjithë ajo ju bën njeri. Është rëndë ,por e njerëzishme. Për fillim, merrni deklaratën universale për të drejtat e njeriut dhe lexoni atë. Bisedoni me të afërmit dhe fqinjët. Merrni aksion. Ajo është e mundshme përmes një përkushtimi individual dhe solidaritet. Çdo kush nga ne ka peshën e vet.
No comments:
Post a Comment